Marco Asensio është zyrtarisht një lojtar i PSG. spanjolli u bë pjesë e kampionëve francezë, duke ardhur me parametra zero me Real Madrid.
Në “Parc des Princes”, anësori i sulmit ka firmosur një kontratë 3 vjeçare, atje ku synon që nën urdhërat e trajnerit Luis Enrique, të kthehet në një lojtar jo vetëm të rëndësishëm, por edhe titullar.
“Për mua është një privilegj të jem pjesë e këtij klubi të madh. Po pres me padurim të bashkohem me shokët e skuadrës dhe punoj me ta, për të arritur disa objektiva të rëndësishëm”, janë disa nga fjalët e para të Asensios, të dhëna për faqen e klubit, pasi ka zbarkuar në kryeqytetin francez.
Një product i akademisë së Mallorcas, në 2016-tën, Asensio u bë pjesë e Real Madrid, atje ku për 7 sezone me radhë, arriti të linte mjaftueshëm gjurmë, ndonëse jo në rolin e një titullari të paprekshëm.
27 vjeçari luajti 286 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Los Blancos, mëngjarashi, shënoi 61 gola, e regjistroi 32 asiste për 35 herë kampionët e Spanjës. Në “Santiago Bernabeu”, Marco ishte pjëse e një epoke të suksesshme. Në total, ai fitoi 17 trofe me fanellën e bardhë, mes tyre 3 tituj të Champions League dhe 3 tituj të La Ligas.
Aventura që do të nisë së shpejti në “Parkun e Princave”, pritet të jetë e suksesshme për Asension. Ai do të trajnohet nga Luis Enrique, me të cilin ka punuar në përfaqësuesen spanjolle dhe duhet thënë se gëzon një raport mjaft pozitiv me teknikun 53 vjeçar.