Marco Asensio nuk ka përjashtuar asgjë nga e ardhmja e tij futbollistike, madje as transferimin tek Barcelona. Në fund të këtij sezoni, anësorit i përfundon kontrata me Real Madrid dhe rinovimi mes palëve duket shumë larg.
Sikurse kanë raportuar mediat pranë klubit katalanas, Barcelona është në ndjekje të situatës së futbollistit dhe mundësia është e madhe që në fund të sezonit, anësori i sulmit të zbarkojë në “Camp Nou”.
Rreth kësaj teme ka folur vetë Asensio. Nga grumbullimi me përfaqësuesen e Spanjës, 26 vjeçari theksoi se nuk mund të thotë asgjë rreth të ardhmes së tij. Ai nuk e ka mohuar kategorikisht një transferim të mundshëm në Barcelonë, çka do të thotë se një gjë e tillë është e mundur të ndodhë në fund të sezonit.
“Nuk e di se çfarë mund të them. Ashtu sikurse Barca, shumë klube të tjera janë interesuar për mua. Jam I përqendruar në të tashmen time me kombëtaren dhe me klubin. Jetojmë në një botë me shumë aludime dhe kjo është normale, sepse në janar, unë kam të drejtë të firmos me një tjetër klub dhe zërat sa do vijnë e do të shtohen”, ka mbyllur spanjolli.
Sa I përket sezonit actual, Marco Asensio është shumë I pakënaqur nga trajneri Carlo Ançeloti, prej faktit se ky I fundit, jo vetëm që nuk e konsideron më titullar, por edhe minutat në fushën e lojës kanë qenë me pikatore. Sidoqotë, tekniku italian ka theksuar se Asensio është një lojtar I rëndësishëm në organikën e tij.