Marcelo largohet nga Real Madrid, të tjera zhvillime në shtëpinë e kampionëve të Champions League

Sport

Pas 15 vjetësh dhe 545 ndeshjesh të luajtura, Marcelo largohet zyrtarisht nga Real Madrid. Në nderim të figurës së brazilianit, në Valdebebas, Reali organizoi edhe një ceremoni të fundit për kapitenin Los Blancos.

Në fjalët e tij, mbrojtësi i majtë shprehu një falenderim të veçantë për të gjithë ata që punojnë në kampin e klubit kryeqytetas. “Trajnerëve, shokëve të skuadrës, apo edhe personave që punojnë në heshtje prapa skenës, dua t’ju them të gjithëve faleminderit. Kur u largova nga brazili, kisha ëndërr të luaja në Champions League. Sot po largohem si lojtari me më shumë trofe në historinë e klubit më të madh në botë”, ka cituar ndër të tjera 34 vjeçari.

Janë plot 25 tituj të fituar me fanellën e bardhë, si asnjë futbollist tjetër në historinë e 14 herë kampionëve të Europës. Këtu vlen të përmendim suksesin e 5-fishtë në Champions League dhe 6 trofe të La Ligas.

Më tej, përveç kësaj ngjarjeje, në shtëpinë e Real Madrid përgjatë kohëve të fundit kanë ndodhur edhe zhvillime të tjera. Fjala është për Aurelien Tchouameni, I cili tashmë është zyrtarisht një lojtar I Merenguez, teksa ka firmosur një kontratë deri në vitin 2028-të. Operacioni ka shkuar 100 mln euro në total. Në arkat e klubit të Monaco do shkojnë fillimisht 80 mln euro, më pas 20 milionë euro të tjera do jenë në formën bonuseve.