Pas plot spekulimesh dhe përgënjeshtrimesh, Marcelos iu mbush kupa. Braziliani ka vendosur të largohet nga Reali i Madridit. Sipas radios Cope në Spanjë, mbrojtësi i krahut të majtë ka zhvilluar një takim me drejtorin eksekutiv Jose Angel Sanchez për ta zgjidhur njëherë e mirë situatën që ai ka pasur këtë sezon. Që prej ardhjes së tij në Bernabeu në vitin 2007, Marcelo ka përjetuar këtë sezon një amulli të vërtetë për sa i përket qoftë së ardhmes, por edhe të tashmes, me shumë pak aktivizime dhe kryesisht mungesë besimi nga trajneri Lopetegui dhe Solari. Tashmë 30-vjeçar ai thuhet se ndihet i lënë menjëanë nga projekti i së ardhmes dhe sidomos nga besimi që Solari i ka dhënë Sergio Reguilionit. Takimi me Sanchez, sipas radios Code thuhet se ka zgjatur një orë dhe Marcelo thuhet se i ka komunikuar atij pakënaqësitë e kritikave kundrejt tij.
Ndër të tjera thuhet edhe se braziliani i ka komunikuar dëshirën për t’u larguar nëse klubi i Realit të Madridit nuk e do më në skuadër. Gazeta AS raportoi të gjithë lajmin duke iu referuar bisedës së përcjellë nga radio Code. Sipas AS-ës Marcelo do ta konsiderojë kontratën e tij në fund të sezonit. Edhe pse ajo i përfundon në vitin 2022, AS thotë se Marcelo mund të përfitojë të njëjtën zgjidhje kontraktuale sikurse në rastin e Ronaldos. Në fakt po sikur portugezi, braziliani mund të kalojë te Juventusi. Pak ditë më parë 30-vjecari e tha edhe në një intervistë për Esporten se nëse Reali nuk do ta donte më në skuadër, ai do të largohej, por tani zërat gjejnë konfirmime edhe nga bordi drejtues, çka i jep shpresë Juventusit të planifikojë një ribashkim Ronaldo-Marcelo për sezonin tjetër.