Marcelo Brozoviç zyrtarizohet si lojtar i Al Nassr

Sport

Një tjetër futbollist është tunduar nga milionat e Arabisë Saudite. Marcelo Brozoviç është zyrtarizuar si lojtar i skuadrës së Al Nassr. Pas shumë bisedimesh, më në fund, kroati u bë pjesë e organikës së klubit nga Lindja e Mesme.

Teksa kishte edhe një vit kontratë me Interin, nga ky operacion, klubi zikaltër përfitoi 18 milionë euro. Ndërsa sa i përket situatës së lojtariT, ajo është tjetër histori. Me Al Nassr, Brozoviç, ka nënshkruar një kontratë 3 vjeçare, nga e cila do të përfitojë një total prej 100 milionë eurosh. Pra, diçka më tepër se 30 milionë euro në vit. Thënë më shkoqur, Brozoviç, do të arkëtojë, 90.410 euro në ditë, 3767 euro në orë, 62.79 euro në minutë, ose 1.05 euro në sekondë.

Kur sauditët u interesuan në fillim për ballkanasin, marrëveshja po haste vështirësi, sepse futbollisti nuk ishte i kënaqur me pagën që do të merrte dhe për një moment u duk sikur e ardhmja e ish-lojtarit të Interit do të mbetej në Europë. Megjithatë, Al Nassr, i propozoi 30 vjeçarit një ofertë të dytë dhe si përfundim, palët arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët.

Sa i përket epokës me Interin, që filloi në 2016-tën, lojtari i Lindur në Zagreb, luajti 330 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shënoi 31 gola, e dhuroi 43 asiste. Ky rrugëtim u shoqërua edhe me 5 trofe të fituar, një Serie A, dy Kupa dhe dy Superkupa të Italisë.

Duke nisur nga sezoni i ri futbollistik, Marcelo Brozoviç do të luajë në një skuadër bashkë me Cristiano Ronaldon, duke u bërë kështu një nga dyshet më interesante të një ekipit të ligës saudite të futbollit.