Cristiano Ronaldo nuk po njeh limite. Të enjten, gazeta spanjolle Marca i kushtoi një analizë të thellë statistikave të portugezit dhe nxorri si përfundim faktin se edhe pse i ka kapërcyer të 30-tat, sulmuesi i Realit vazhdon të jetë vendimtar dhe i etur për suksese. Dy vitet e fundit, portugezi ka fituar 7 tituj kundrejt 18 që pati fituar përpara se të mbushte moshën 30-vjecare. Nga këto arritje, spikasin dy titujt e Champions League-ës dhe dy Siper-Cupat e fundit, ajo e Evropës dhe e Spanjës. Sipas gazetës Marca, statistikat personale të Ronaldos janë edhe më mbreslënëse se ato të grupit. Që prej 5 shkurtit të vitit 2015-të, kur i mbushi 30-të, Ronaldo ka luajtur në 119 ndeshje, në të cilat ka shënuar po aq gola. Këtë statistikë prej 1 gol për ndeshje, portugezi nuk e ka arritur kurrë në të 20-at. Pikërisht në këtë periudhë të fundit, Ronaldo kapërceu kuotën e 100 golave në Champions League dhe pas vitit të kaluar, ai mund të ri-vlerësohet me Topin e Artë, çka do ta bënte atë me 5 vlerësime të tilla, po aq sa Messi. Marca rikujton fjalët e 32-vjecarit ndërsa vitin e kaluar nënshkroi ripërtëritjen e kontratës. “Dua të luaj deri në moshën 41-vjecare” – pati thënë portugezi. Për Zinedine Zidane, ai është lideri i grupit dhe i vetmi që e ka të garantuar vendin në formacion kur vjen puna për ndeshjet kryesore. Sipas Marcas, nuk është e sigurt nëse Ronaldo do të luajë apo jo deri në moshën 41-vjecare, por e sigurt është se më e mira prej tij nuk është parë ende.