Marc Marquez ka siguruar fitoren e gjashtë sezonale, teksa ia doli ta mbyllte i pari vijën e finishit në garën e Brnos në Republikën Çeke. Në një garë të kushtëzuar nga ndalesat për shkak të reshjeve të shiut, spanjolli menaxhoi si duhet pozicionin e kryesuesit, që e kishte fituar një ditë më parë me pole-position. Piloti i Hondas u tregua i kujdesshëm dhe nuk e shtyu motorin drejt limiteve, por thjesht mbajti distanca konstante me ndjekësit.
Vendi i dytë shkoi për pilotin italian Andrea Dovizioso, që u rikthye në podium me Ducatin e tij. Vendi i tretë për një tjetër Ducati, Jack Miller të skuadrës satelite të markës italiante. Australiani bëri një garë shumë të mirë dhe konfirmoi se nën reshjet e shiut mbetet një ndër pilotët më të mirë në MotoGP. Vetëm vendi i katërt për Alex Rins me Suzukin, që u rendit përpara britanikut Cal Crutchlow. Vetëm vendi i gjashtë për Valentino Rossin, që ndryshe nga çfarë kishte premtuar, nuk ia doli të ishte aq kompetitiv sa shpresonte, kjo edhe për shkak të motit të keq.
Zhgënjeu edhe piloti tjetër i Yamahas, Maverick Vinales, që e mbylli në vendin e 10. Pas garës së Brnos, Marc Marquez ka thelluar diferencat në renditjen e pilotëve, ku kryeson me 210 pikë, 63 pikë më shumë se Andrea Dovizioso i vendit të dytë. Gjatë këtij sezoni, Marquez mbetet i vetmi pilot që ka fituar më shumë se 1 garë në MotoGP pasi asnjë pilot tjetër nuk ka shënuar dy triumfe deri më tani. 4 pilotët e tjerë që kanë fituar të paktën 1 garë janë dyshja e Ducatit, Dovizioso dhe Petrucci, Alex Rins i Suzukit dhe Maverick Vinales i Yamahas.