Marc Marquez do të vijojë të jetë piloti kryesor i Hondas në ‘MotoGP’, edhe për të paktën 4 vite të tjera. 6 herë kampioni i botës ka rinovuar kontratën e tij me markën japoneze deri në vitin 2024, duke synuar të shkruajë historinë e këtij sporti pikërisht me motorin që bëri edhe debutimin e tij në kategorinë më të rëndësishme. 27-vjeçari debutoi me Hondan në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë, bashkëpunimi mes Marc Marquez dhe Hondas ka sjellë vetëm suksese dhe tituj botëroë. Rinovimi i tij me markën japoneze vjen vetëm pak kohë pasi kjo skuadër firmosi edhe me vëllain e vogël të Marc, Alex Marquez, që erdhi si kampion i ‘Moto2’ në sezonin e shkuar. Marc Marquez u shfaq shumë i lumtur për rinovimin e tij me Hondan, duke zbuluar se ky ka qenë gjithnjë qëllimi i tij dhe se nuk ka menduar aspak të largohet drejt ndonjë prej rivalëve si Ducati apo Yamaha.
“Honda më dha shansin e parë në ‘MotoGP’ dhe besoi tek unë, prandaj dua të vazhdoj t’ua shpërblej besimin që më kanë dhënë që në ditën e parë. Jam i lumtur që do vijojmë të punojmë së bashku dhe që do të jem pjesë e familjes së Hondas.”
Me këto fjalë, kampioni i botës në ‘MotoGP’ konfirmoi marrëveshjen, teksa përsëriti edhe njëherë se synimet janë po të njëjta: të arrijë sa më shumë fitore dhe të konfirmohet kampion. Marc Marquez është ende në fazë rikuperimi pas operacionit në shpatull, çfarë erdhi si pasojë e dëmtimit që mori në Malajzi. Gjatë testeve të para për 2020-ën, spanjolli është shprehur sa ka patur vështirësi fizike, por ajo çfarë e ka shqetësuar më shumë ka qenë paraqitja e motorit të tij, që për Marquez ende nuk është në nivelin e duhur.