Marc Marquez nuk është më një pilot i ri që aspiron të shënojë emrin e tij në historinë e ‘MotoGP’, por një kampion absolut, një legjendë që kërkon të tejkalojë çdo emër tjetër. Spanjolli po ia bën gjithmonë e më të vështirë rivalëve të tij dhe statistikat zbulojnë një tjetër të dhënë interesante rreth ‘rritjes’ së pilotit të Hondas. Marquez ka qenë ndër pilotët që rrëzohej më shpesh gjatë sezoneve të kaluara. Vitin e shkuar, spanjolli u rrëzua plot 23 herë, duke llogaritur këtu edhe aksidentet në provat e lira apo zyrtare. Në këtë mënyrë 2018-ën e mbylli jo vetëm si kampioni i botës, por edhe si piloti që rrëzohej më shumë. Në 2017-ën, kjo statistikë ishte edhe më negative, me 27 rrëzime. Por këtë vit situata është krejt ndryshe dhe Marquez numëron vetëm 6 rrëzime, nga të cilat vetëm 1 në garë.
Pikërisht ai rrëzim në garën e Austin, që i hoqi mundësinë e një fitoreje të sigurt. Marquez tashmë duket më i kujdesshëm dhe më ‘i pjekur’ se më parë. Spanjolli u shpreh se është më i përqëndruar tek motori dhe gara e tij, por gjithashtu ndjen akoma më shumë përgjegjësi për skuadrën e Hondas. Kjo ka bërë që sjellja e tij në pistë të jetë më konstante dhe më e kujdesshme, çfarë shpjegon se e ka kuptuar që nuk duhet të tregohet agresiv në situata që nuk e kërkojnë një reagim të tillë. Pikërisht në të vetmin rast gjatë këtij sezoni kur Marquez u rrëzua në garë, në Austin, spanjolli shpjegoi se u përpoq të shtynte sa më shumë për të arritur rekordin e pistës, por kjo rezultoi fatale, pasi i kushtoi Hondas një triumf të sigurt.