Marc Marquez i trembet rikthimit në formë të Jorge Lorenzos!

Sport

Nëse Jorge Lorenzo gjen ritmin e duhur me motorin e tij, atëherë ai mund të bëhet i pamposhtur. Është ky mendimi i Marc Marquez për shokun e tij të skuadrës që ka filluar të japë disa shenja të mira sa i përket përshtatjes me motorin e ri. Që prej momentin kur u bë pjesë e Hondas, Lorenzo ka dështuar të arrijë podiumin apo të afrohet qoftë edhe mes 6 apo 7 vendeve të para, megjithatë tek marka japoneze janë të qetë dhe do t’i japin 3 herë kampionit të botës kohën e nevojshme. Lorenzo ishte në të njëjtën situatë edhe tek Ducati, ku pas një viti të parë shumë të vështirë mbi motorin italian, në sezonin e dytë ia doli të fitonte gara dhe të paraqitej mjaft mirë.

Kështu Marc Marquez është i sigurtë se bashkëkombasi i tij do të gjejë gjuhën e përbashkët me Hondan dhe do të rikthehet të jetë kompetitiv, çfarë mund ta kthejë edhe në rivalin e tij më të madh. Pas garës së La Mans në Francë, vetë Lorenzo u shpreh se motori Honda nuk është aq ‘miqësor’ apo ‘i butë’ sa ai Yamaha, ndërsa drejtuesit e skuadrës vazhdojnë të punojnë intensivisht për ta bërë sa më të lehtë përshtatjen e Lorenzos me motorin e tij të ri. Marc Marquez beson se shoku i tij i skuadrës është përmirësuar dhe të njëjtin mendim ndan edhe numri 1 i Hondas, Alberto Puig, që shfaq besim të plotë tek aftësitë e një kampioni bote si Jorge Lorenzo.