Kampioni i botës në ‘MotoGP’, Marc Marquez nuk duket i kënaqur nga testet e para me Hondan. Spanjolli, i cili ende vuan pasojat e operacionit në shpatull, pas dëmtimit që pësoi në aksidentin në garën e Malajzisë në sezonin e shkuar, është shprehur se ajo çfarë e shqetëson më shumë për momentin nuk është gjendja e tij fizike, por ajo e motorit të tij. 26-vjeçari ende nuk është i bindur nga motori i ri që i është vënë në dispozicion nga marka japoneze dhe shpreson që kjo gjë të ndryshojë gjatë testeve të ardhshme. Marquez tha se kishte mundësitë që gjatë testeve të para të ishte shumë më i shpejtë, por ndryshimet e bëra në Hondan e tij për momentin nuk kanë dhënë rezultatin që pritej. Kampioni i botës shtoi se as ai dhe as skuadra e tij nuk kanë kohë të mjaftueshme për të eksperimentuar, prandaj të gjitha detajet e reja që i janë shtuar motorit, duhet të përshtaten në mënyrën e duhur.
Sa i përket gjendjes së tij fizike, Marc Marquez tregoi se ndjen ende dhimbje në momentet që muskujt e tij sforcohen, por zbuloi se ishte paralajmëruar që përpara operacionit se rikuperimi për të do të ishte më i dhimbshëm se herët e kaluara. Në fund të intervistës së tij, spanjolli përgëzoi dhe dy bashkëkombasit e tij, Alex Rins të Suzukit dhe Maverick Vinales të Yamahas për paraqitjet e bëra në teste. Sipas tij, Rins dhe Vinales janë dy pilotët më të shpejtë në ‘MotoGP’ për momentin dhe vetë Marquez i listoi të dy si pretendentë për të fituar garën e parë për vitin 2020.