Ish-ylli i futbollit botëror, Diego Armando Maradona ka rrëfyer se nuk kishte asnjë shpresë për Argjentinën përpara Kupës së Botës për shkak të problemeve të brendshme që i ishin rrëfyer nga lojtarët. Gjithsesi, sa i takon asaj që ka vërejtur në Botëror, ai ka thurur elozhe për sulmuesin francez, Kylian Mbappe, duke e konsideruar si zbulimin e Rusi 2018. “Mund të them se është një Botëror që nuk na lë në mendje gjeste të mëdha teknike individuale. Por kam parë disa skuadra që donin të shfaqnin më shumë sesa kishin. Por që nuk dhanë zemrën”.Përveç Argjentinës, një tjetër zhgënjim për Maradonën ka ardhur edhe nga Gjermania. “Kampionët e botës, bashkë me Spanjën, u larguan shpejt. Më pas i erdhi radha Brazilit. Bëhet fjalë për skuadra që janë shumë të forta dhe që duan të fitojnë gjithçka, por fatkeqësisht nuk ia dolën”, ka vijuar El Pibe D’Oro.
Sa i takon individëve, sipas tij, janë dalluar para së gjithash Mbappe, i ndjekur nga bashkatdhetari Antoine Griezman dhe nga dy sulmuesit e përfaqësueses belge, Eden Hazard dhe Romelu Lukaku. “Besoj se mbi të gjithë ka qenë Mbappe zbulimi i këtij Botërori. Pa lënë mënjanë gjithsesi edhe të tjerë si Grizmann, Hazard e Lukaku”.
Gjithashtu, argjentinasi ka përshëndetur me gëzim edhe shpëtimin e 12 fëmijëve të një skuadre futbolli, që kishin ngecur në një shpellë në Tailandë. Por ka shfaqur kundërshti mbi festën që i ka bërë FIFA për të shikuar finalen e Botërorit. “Mirë FIFA që bëri ftesën. Po a ishte gjëja më e mirë për t’u bërë? Pas disa ditëve qëndrimi atje poshtë, vërtetë do të duan të hipin në aeroplan për të ardhur në Rusi? Edhe nëse do të kishin dëshirë të madhe për të parë Botërorin, do të thoja se trupi i tyre i vogël është ende duke rimarrë veten”, ka përfunduar Maradona.