Maradona shigjeton Higuainin dhe Icardin, ky i fundit i përgjigjet

Sport

335888 diego maradona

Diego Armando Maradona ndodhet në Romë për një ndeshje bamirësie të titulluar “Ndeshja e Paqes”, por prezenca e tij nuk ka kaluar pa deklarata të bujshme mediatike. Kështu legjenda e futbollit argjentinas ka shigjetuar dy sulmuesit Icardi dhe Higuain teksa ka folur edhe për Francesco Tottin. “Edhe 40 lojtarë italian po t’i bësh bashkë, prapë s’nxjerr dot një Totti, ai mund të luajë deri 50-vjeç” – tha Maradona për kapitenin e Romës, i cili pak javë më parë kishte 40-vjetorin. I pyetur për Icardin dhe mundësinë e grumbullimit të tij në përfaqësuesen e Argjentinës, Maradona e preu shkurt duke thënë se “nuk flet për tradhtarët”, duke nënkuptuar këtu historinë e 23-vjecarit me Maxi Lopezin, por edhe polemikat me të për faktin se vitin e kaluar luajti në “Ndeshjen e Paqes” packa se Maradonës i kishin premtuar që nuk do të aktivizohej. Si një ish-lojtar dhe një tifoz i zjarrtë i Napolit, 55-vjeçari u ndal të fliste edhe për Higuainin. “Më erdhi keq që u largua duke vajtur te Juventusi, por e theksoi, për mua përvec Gonzalos, fajin e kanë edhe ata që i kryejnë këto hujdi” – tha argjentinasi. Por ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Mauro Icardit. Kapiteni i Interit ka qenë mjaft i ashpër me fjalët e tij kundrejt “lojtarit të shekullit”. “Maradona nuk është shembull i mirë për askënd, ai s’ka lidhje me paqen. Ka qenë një nga futbollistët më të mëdhenj në Botë, por kur flet bën gjithmonë figurë të keqe” – tha 23-vjecari.