Skena kurioze, lëvizje teatrale, gjeste vulgare e deri edhe gjendje jo e mirë shëndetësore. Diego Armando Maradona i pranishëm në Rusi për të mbështetur Argjentinën e tij, vazhdon të bëjë të flitet për veten. Madje në një moment qarkulloi edhe lajmi se kishte humbur jetën. Vetë legjenda argjentinasi ka dashur t’i sigurojë të gjithë gjatë emisionit “De la mano del 10”, që drejton për një televizion venezuelian, bashkë me gazetarin Victor Hugo Morales në kanalin Telesur. “Dua t’i them të gjithë botës se jam gjallë dhe në gjendje perfekte”, ka thënë fillimisht. Ndërsa nuk ka kursyer një shigjetim për mediat. “Fatkeqësisht nuk mund t’i bëj dot të mirë disa njerëz mediokër. Krijuan një vorbull kaosi me artikuj, telefonata e madje duke shkruar deri edhe se isha i vdekur. Të dukem gjë i vdekur?”, u shpreh argjentinasi, duke iu drejtuar prezantuesit.
Ai iu referua ndërhyrjes së mjekëve në stadiumin e Shën Peterburgut, gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Nigerisë. Lidhur me atë moment, Maradona deklaroi se bëhej fjalë thjesht për “një dhembje të fortë në qafë, që i erdhi nga festimet e tepruara për golin e fitores së Agjentinës”. Gjithsesi, e gjithë zhurma që u krijua me faktin që u ndje keq pas ndeshjes, nuk i ka pëlqyer aspak Maradonës. Por veçanërisht është tërbuar me lajmin që i nxorrën, sa i takon vdekjes së tij. Prandaj ai ka vendosur të mos e lërë me kaq. Sipas “DailyStar”, ish-‘Pibe D’Oro’ në akord me avokatin e tij, ka vendosur një shpërblim prej 9000 eurosh për atë që do të gjejë autorin e lajmit fals, që shqetësoi jo pak tifozët por tronditi edhe të afërmit e tij.