Ndeshjet e kthimit ishin një tjetër tregues dhe sprovë për Cristiano Roanldon në Champions League. Tripleta e tij me Atleticon e Madridit tregoi sërish se kur vjen puna për trofeun më prestigjioz në Evropë Ronaldo di të shkëlqejë gjithmonë, pavarësisht se tashmë është 34-vjeçar. Pas ndeshjes në Torino lëvdatat për portugezin kanë ardhur nga të gjitha drejtimet, madje edhe nga Argjentina. Legjenda Diego Maradona nuk ka shfaqur fare rezerva për të folur për të. Sipas Maradonës krahasimi i përhershëm mes dy futbollistëve Messi dhe Ronaldo do të vazhdojë gjithmonë, por që portugezi mbetet i jashtëzakonshëm. “Ka gjithmonë lojtarë që janë prekur nga magjia dhe që dinë gjithmonë të të magjepsin” – ka thënë Maradona që drejton skuadrën Dorados në meksikë.
“E vërteta është se ne argjentinasit jemi krenar dhe të lumtur me Messin dhe me faktin që ai nuk zgjodhi Spanjën për të luajtur, por ai tjetri, Ronaldo është kafshë” – ka shtuar legjenda e fubtollit. Sipas Maradonës portugezi është një forcë e vërtetë, që megjithëse 34 vjeçar i dominon ndeshjet duke shënuar pafund gola. “Ai pati thënë se do të shënonte 3 gola dhe e bëri” – këmbënguli 58-vjeçari. Pas tripletës me Atleticon, Ronaldo ka një total prej 124 golash dhe 44 asistesh në 160 ndeshje të luajtura me Manchester United-in, Realin e Madridit dhe tashmë Juventusin.