Ende edhe sot, Diego Armando Maradona është në gjendje të tërheqë vëmendjen me veprimet e tij, edhe pse tashmë vetëm jashtë fushës së gjelbërt, ndryshe nga sa bënte në kohën kur luante vetë. Legjenda argjentinase, pasi ka hedhur prapa krahëve problemet shëndetësore, është rikthyer në rolin e trajnerit të një skuadre në Argjentinë dhe bëhet fjalë konkretisht për Gimnasia La Platan. 59-vjeçari, i cili sot feston edhe ditën e lindjes, përjetoi të martën një mbrëmje vërtet speciale, përderisa kishte një përballje në transfertë me një skuadër, ku është aktivizuar për pak kohë gjatë karrierës së tij si futbollist, pikërisht Neuells Old Boys.
Në nder të “El Pibe D’oro”-s, përpara ndeshjes, tifozët dhe klubi vendës i dhuruan atij një fron, të cilin fillimisht ish-kampioni e firmosi dhe më pas e përdori gjatë të gjithë 90 minutave, për ta shijuar sfidën edhe më rehat. Fundja, Maradona mbetet Maradona dhe një pankinë e thjeshtë, është fare pak për të…. Si përfundim, froni i solli fat pasi Gimnasia ia doli të mposhti Old Boys me rezultatin e thellë 4-0, teksa Maradona e shijoi suksesin si të ishte një… mbret.