Maradona del pro sistemit VAR, flet edhe për golin e tij me dorë

Sport

maradonaa

“Nëse do të ekzistonte teknologjia që në atë kohë, goli im me dorë do të ishte anuluar, por kjo s’do të thotë se unë duhet të jem kundër teknologjisë në futboll” – kështu e ka përshkruar ndikimin e videoasistencës në arbitrim, Diego Armando Maradona. Në Botërorin e vitit 1986, kundër Anglisë, legjenda e futbollit argjentinase pati shënuar me dorë, atë cka më pas u pagëzua prej tij si “dora e zotit”. Tanimë 56-vjecar, Maradona është ndalur të flasë për vendimin që ka marrë FIFA që në të ardhmen e afërme teknologjia të ndihmojë në një arbitrim sa më të drejtë. Në këtë pikë Maradona ka shfaqur hapur dakordësinë duke marrë për shembuj dy përvoja të tijat. “E kam menduar, si jo, ai gol i imi në Meksikë kundër Anglisë nuk do të ishte gjykuar si i rregullt nëse teknologjia do të kish qenë prezente që në atë kohë” – tha Maradona. Ish-numri 10-të i Napolit dhe Argjentinës vazhdoi më tej duke analizuar se situata të ngjashme si ajo e botërorit të vitit ’66 kur Anglia fitoi me një gol fantazmë, mund të mënjanohen. “I ndodhi në favor të tyre në ’66-ën e më pas në disfavor në 2010-ën kur ndaj Gjermanisë ajo goditje e Lampardit nuk u konsiderua gol” – tha 56-vjecari. Më pas, për të neutralizuar thumbimet ndaj anglezëve, vetë Maradona rrëfeu duke pranuar se në botërorin e vitit 1990 kundër Bashkimit Sovietik pati penguar me dorë një goditje në portën e argjentinasve. “Iishim me fat pasi arbitri nuk më pa”, tha Maradona duke qeshur.