Manuel Neuer shkruan historinë e Europianit, duke u bërë portieri me më shumë paraqitje ndonjëherë, plot 18, duke lënë kësisoj pas vetes, emra legjendarë, sikurse Gianluigi Buffon me 17, apo edhe Edvin Van Der Sar me 16 paraqitje.
Ndonëse 38 vjeç, cilësitë e Neuer mbeten të padiskutueshme. Diçka të tillë, shtatlarti i katërkëndëshit e tregoi edhe në duelin e së Dielës mbrëma ndaj Zvicrës, që u mbyll 1-1. Në momentet e fundit, Neuer ndali një gjuajtje të Granit Xhakës, që mund të kishte vulosur fitoren e helvetëve.
E në fakt, Gjermania mbeti në lojë pikërisht nga një pritje e tillë, sepse më pas, Niklas Fullkrug arriti të barazonte 1-1 thuajse në limite. Me golin e shënuar, sulmuesi i qendrës i garantoi vetes një vend në librat e historisë së përfaqësueses së tij, sepse u bë lojtari i parë i Gjermanisë, i cili shënon 4 herë si zëvendësues në turne madhorë, sikurse është Europiani, apo Kupa e Botës.
Duhet thënë gjithashtu se një fazë grupesh dinjitoze ka zhvilluar edhe gjermani tjetër, i rikthyer në kombëtare. Fjala është për Toni Kroos, i cili është bërë lojtari me më shumë pasime të kompletuara përgjatë këtij Europiani, plot 324. Kjo është hera e tretë që Kroos ia del ta bëjë diçka të tillë në karrierën e tij me fanellën e ekipit kombëtar në një turne si Europiani, pas 2016-tës dhe 2020-tës.
Nga Gjermania që kemi parë përgjatë këtyre 3 ndeshjeve, nuk mund të themi dot me siguri nëse kemi parë gjithashtu edhe potencialin e vërtetë të panzerave, por e sigurt është që ekipi i drejtuar nga Julian Nagelsmann ka të dhëna positive dhe për këtë gjë, statistikat nuk gënjejnë.
Për herë të parë që nga viti 2006, Gjermania ka shënuar 8 gola në një fazë grupesh të Europianit, apo Botërorit. Pasi kanë siguruar biletën për në fazën me eliminim të turneut, 4 herë kampionët e Botës janë në pritje të kundërshtarit dhe do të jetë një nga përfaqësueset e Grupit C, Anglia, Danimarka, Sllovenia, ose Serbia.