Manuel Neuer drejt rikthimi, Bayerni ka një surprizë për portierin

Sport

Teksa Manuel Neuer pritet të rikthehet në fushë pas një mungese të gjatë, paralelisht, Bayern Munich është duke përgatitur një surprizë për portierin në fjaë. Sikurse raportojnë mediat e huaja, kampionët e Gjermanisë janë duke përpiluar një kontratë të re në drejtim të gardianit 37 vjeçar.

Marrëveshja aktuale e Neuer me klubin bavarez përfundon në verën e 2024-tës, por është mëse e besueshme që palët të vazhdojnë bashkë, të paktën edhe për një tjetër sezon. Pra, marrëveshja e re, parashikohet të rinovohet minimumi edhe për një tjetër vit, por është e mundur që në tavolinë, oferta të jetë edhe dy vjeçare.

Manuel Neuer është pjesë e Bayern Munich që prej verës së 2011-tës, e përgjatë këtyre 12 viteve ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit gjerman. Në total janë 489 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, ndërsa trofetë e fituar janë plot 30-të, përfshirë këtu 11 tituj kampionë të Bundesligës dhe 2 tituj të Champions League.

Neuer cilësohet një simbol i Bayernit, e ndonëse 37 vjeç, drejtuesit e klubit janë besimplotë se gardiani në fjalë mund të luajë ende në nivele të larta.

Në Dhjetor të 2022-shit, teksa ishte me pushime, Neuer pësoi një frakturë në këmbë, e si pasojë mungoi të gjithë pjesën e mbetur të sezonit. Madje, ai ende nuk është në dispozicion të trajnerit Thomas Tuchel, ndonëse duhet theksuar se rikthimi i tij shihet shumë pranë. Portieri ka nisur stërvitjen, ndërsa pak nga pak, por kthehet në formën optimale. Ai konsiderohet titullari absolut i katërkëndëshit të Bayernit, e për këtë arsye, klubi e ka pritur kaq shumë, pa nënshkruar me një tjetër portier për një periudhë afatgjatë.