Mane shuan spekulimet, thotë se është i lumtur tek ‘the reds’

Sport

Sadio Mane ka qenë një nga pikat më të rëndësishme tek Liverpool sa i përket suksesit të sezonit të shkuar. Senegalezi ka patur gjithmonë mbështetjen e trajnerit Jurgen Klopp dhe të shokëve të skuadrës, besim që Mane ka ditur se si ta shpërblejë. Paraqitjet e tij bënë që shumë skuadra të tjera të mëdha, me në krye Real Madrid, të interesoheshin për shërbimet e sulmuesit 27-vjeçar. Problemet mes lojtarit dhe Salah në këtë fillim sezoni kanë rikthyer spekulimet se Sadio Mane po e mendon të largohet nga ‘the reds’, duke parë vështirësitë dhe përplasjet që ka patur me Salah. Por është vetë senegalezi që ka mohuar çdo gjë, duke thënë e vetmja vështirësi që ka, është mënyra se si të shprehë sa i lumtur është tek Liverpool. Mane deklaroi se tek ‘të kuqtë’ ka gjithçka që i nevojitet dhe se me Salah ka patur vetëm diçka të momentit, pasi të dy shkojnë shumë mirë bashkë. 27-vjeçari këmbënguli se nuk e ka menduar të largohet nga skuadra e Jurgen Klopp, për të cilin Mane thotë se ka një respekt të veçantë. Suksesi në ‘Champions League’ në sezonin e shkuar realizoi një ëndërr të Mane, që siç thotë vetë lojtari vlen shumë, sidomos pas finales së humbur në sezonin paraardhës me Real Madrid.


“Kur isha i vogël e ndiqja gjithnjë ‘Champions League’-ën, me shpresën se një ditë do të luaja aty. Ta fitosh atë trofe është diçka e jashtëzakonshme. Do të thotë shumë për mua dhe të gjithë njerëzit rreth nesh.”

Edhe për sezonin e ri Mane thotë se objektivat e tij dhe të skuadrës janë po të njëjtat. Përsëritja e një suksesi në elitën kontinentale do të ishte diçka speciale, ndonëse ‘the reds’ kanë një dëshirë të madhe për të fituar pas shumë vitesh titullin e ‘Premier League’-ës.