MANE’ PEZULLOHET DHE GJOBITET NGA BAYERN, PAS GRUSHTIT

Sport

Bayern Munchen ka vendosur përjashtimi i senegalezit nga ndeshja e radhës kundër Hoffenheim. Gjithashtu, drejtuesit morin edhe vendimin për të ndëshkuar me një gjobë të majme sulmuesin Sadio Mane, pasi goditi me grusht shokun e tij të skuadrës, Leroy Sane, pas humbjes 3-0 të bavarezëve ndaj Manchester City, në çerekfinalet e Champions League.

Me një komunikatë për shtyp, Bayern njoftoi se senegalezi nuk do të grumbullohet për ndeshjen ndaj Hoffenheim për “sjellje të gabuar”. Ndërsa ky ndëshkim është shoqëruar edhe me një gjobë të majme, plot 500 000 euro. Bëhet fjalë për një gjobë historike, që tregon edhe nivelin e pakënaqësisë së klubit me gjestin e senegalezit. Të enjten, CEO Oliver Kahn dhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic organizuan mbledhje me të dy lojtarët, ku mësohet se Mane ka kërkuar falje.

Ndërkaq, tashmë dihet edhe se çfarë i ka thënë lojtari gjerman kolegut afrikan. Një kushëri i Sadio Mane, ka zbuluar shkakun e nervozizmit të tij ndaj Leroy Sane gjatë dhe pas ndeshjes Manchester City-Bayern. Dy sulmuesit e kampionëve të Gjermanisë, debatuan mes tyre gjatë minutave të fundit të takimit. Më pas plasi grushti në dhomat e zhveshjes, aq sa Mane’ goditi lojtarin e kombëtares gjermane. Mësohet se shokët e skuadrës dhe stafi teknik ndërhynë për t’i ndarë. “Shkër**atë e zezë”, mësohet se i ka thënë Sane’ lojtarit afrikan, fjalë të cilat ky i fundit i përjetoi shumë keq. Gjithsesi tashmë mes dy lojtarëve të Bayernit është rikthyer paqja. Sane ka kërkuar ndjesë për fjalët e tij, ndërkohë që edhe Mane ka bërë të njëjtin veprim, duke kërkuar falje përpara gjithë skuadrës.

Megjithatë, “Sky Sport Deutchland’ ka supozuar se pas këtij pezullimi të përkohshëm, gjithçka mund të çojë në një ndarje përfundimtare mes palëve në verë. Gjithnjë sipas mediave gjermane nuk përjashtohet mundësia që kampioni i Bundesligës të ndërpresë kontratën në mënyrë të njëanshme.