Mario Mandzukiç ishte njeriu që me golin e tij të dytë në këtë Kupë të Botës dërgoi në delir Kroacinë, që për herë të parë prek finalet e një Botërori. Sulmuesi nuk e ka mbajtur gëzimin për kualifikim historik, duke e cilësuar se ishte një “mrekulli”, ajo që realizoi përfaqësuesja ballkanase, duke mposhtur 2-1 Anglinë pas 120 minutave të treta radhazi, në gjysmëfinalen e së mërkurës në stadiumin Luzhniki. Kieran Trippier dhe Ivan Perisic shënuan në kohën e rregullt, përpara se sulmuesi i Juventusit të vuloste me golin e tij suksesin e ballkanasve në minutën e 109-të. Vetë 32 vjeçari deklaroi se të gjithë shokët e tij të skuadrës treguan guxim të madh ndaj “Tre Luanëve”, duke kthyer në favor nisjen jo të mirë të lojës. Teksa arritën që në fund të merrnin atë që donin:
“Kjo është një mrekulli, pasi mendoj se vetëm ekipe të shkëlqyera mund të jenë aq të guximshme, sa ne, që të bëjë një luftë të tillë kundër Anglisë. Në planin personal jam i kënaqur me paraqitjen time në të gjitha ndeshjet. Por përballje të tilla si ajo me Anglinë më pëlqejnë më shumë. Ishim nën presion ndaj Danimarkës dhe Rusisë, por të gjithë e panë atë se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Ne u shfaqëm si luanë dhe do të jemi po ashtu edhe në finale!”, ka premtuar sulmuesi i Juventusit. Ndërkohë, edhe presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Davor Suker ka lavdëruar ekipin pas fitores ndaj Anglisë dhe kualifikimit në finalen e Botërorit 2018”. Mbi të gjitha, ai rezervoi lëvdata të veçanta për realizuesin e golit të fitores, Mario Mandzukic. “Pa frikë mund të them se ka Mario ka ‘atribute’ si të një demi nga Andaluzia. Jam shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar për këtë arritje të futbollit kroat”, theksoi Suker, një nga protagonistët e Botërorit ’98, atëherë kur Kroacia u mund në gjysmëfinale nga Franca.