Mancini përgëzon Interin për kreun, thotë se zikaltrit e kanë merituar më shumë se Juventus

Sport

Inter mori kreun e renditjes së ‘Serie A’, pasi mposhti 2-1 skuadrën e Spal në ‘San Siro’. Zikaltrit përfituan nga ndalesa e Juventus me Sassuolon dhe shfrytëzuan formën e mirë të Lautaro Martinez për të arritur vendin e parë dhe për të ndezur edhe më shumë entuziasmin mes tifozëve. I kënaqur me këtë gjë është shfaqur edhe trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, i cili ka përgëzuar Interin, duke vënë theksin edhe tek puna e Antonio Contes.

Sipas Mancinit, Interi e ka merituar plotësisht arritjen e vendit të parë deri më tani, madje më shumë se Juventus, që siç thotë numri 1 i Italisë, ka treguar shfaqur shumë probleme në fitimin e ndeshjeve. Mancini këmbëngul se faktori kryesor që ndikon tek Inter është ardhja e trajnerit Conte, i cili ka ndryshuar jo vetëm mentalitetin e skuadrës, por edhe dëshirën e lojtarëve për të dhënë gjithmonë më të mirën, sa herë zbresin në fushë. Mancini tha se e vetmja keqardhje për të është fakti që skuadra si Milani, Napoli apo Roma nuk mund të jenë pjesë e kësaj gare. Nëse diçka e tillë do të ndodhë në të ardhmen, atëherë Mancini është i sigurt se kampionati italian do të rikthehet sërish në maja. Kjo sipas tij do të ndikonte edhe tek paraqitjet e ekipeve italiane në Europë e për më tepër, do t’i jepte më shumë mundësi të mira zgjedhjeje atij tek kombëtarja zikaltër.