Manchester Untied bëhet gati për 3 largime në merkaton e dimrit

Sport

Tre yje mund të largohen nga Manchester Untied në merkaton e Janarit. Pavarëisht shpenzimeve të shumta në tregun e futbollistëve, duke afruar lojtarë cilësorë, 29 herë kampionët e Anglisë ende nuk po arrijnë të ndërtojnë një skuadër të ekuilibruar. Sikurse raportojnë mediat në ishull, në dy merkatot e ardhshme, atë të Janarit dhe të verës, në radhët e United do të ndodhë një revolucion i vërtetë, teksa parashikohen të jenë të shumtë futbollistët që do të largohen nga Teatri i Ëndrrave. Gjithnjë sipas mediave ishullore, revolucioni do të fillojë pikërisht që në Janarin e 2024-tës, teksa mendohet se do të largohen nga skuadra, pikërisht lojtarë si Jadon Sancho, Casemiro dhe Raphael Varane, që të tre, të cilësuar si transferime të bujshme, por që për trajnerin Erik ten Hag dhe për krerët e tjerë të klubit, nuk po rezulton kështu. Sancho do të largohet për shkak të konfliktit që ka me trajnerin, pasi ky i fundit, filloi të mos e grumbullonte më, sepse lojtari nuk po jepte maksimumin në stërvitje. Lojtari nuk e pranoi një deklaratë të tillë nga Ten Hag, duke i cilësuar si të pavërteta fjalët e timonierit hollandez. Kaq ka mjaftuar dhe mes palëve nisi një konflikt, që ende nuk është zgjidhur, e mesa duket, nuk do të zgjidhet ndonjëherë. Më tej, Casemiro, në sezonin e tij të dytë në Old Trafford, po nuk arrin të shkëlqejë dot dhe të jetë protagonist, kjo edhe për shkak të problemeve fizike që lojtari është përballur përgjatë këtij viti futbollistik. Disa javë më parë, mediat britanike raportuan se lojtari kishte filluar të mendonte largimin nga Teatri i Ëndrrave, për shkak se nuk po arrin të përshtatet dot si duhet nën urdhërat e Ten Hag. Me bujë ishte edhe transferimi i Varane nga Real Madrid për 50 milionë euro, por francezi tashmë nuk është më një zgjedhje e parë e Ten Hag dhe si pasojë ka përfunduar në stol. Varane ka kaluar në zgjedhjen e fundit të Ten Hag, pas Harry Maguire, Victor Lindelof dhe Jonny Evans. Pavarësisht se Ten Hag e ka mohuar të ketë probleme me Varane, përpara derbit të Manchesterit, mes palëve ka pasur konflikt, sepse francezi nuk e ka përtypur dot faktin se përpara tij nisi të luante Jonny Evans. Që prej atëherë, situata nuk është më e njëjtë. Për të 3 futbolllistët e sipërpërmendur që pritet të largohen së shpejti, Manchester United ka shpenzuar për tepër se 200 milionë euro për t’i bërë pjesë të skuadrës. Vetëm për Varane dhe Casemiro, Untied ka paguar plot 130 milionë euro në radhët e Real Madrid, kurse për Sanchon, u paguan afërsisht 100 milionë euro në arkat e Borussia Dortmund.