Ole Gunnar Solskjaer (Trajneri i Man.United)
“Do të përballemi me një nga skuadrat më të forta, por jemi të përqëndruar për të bërë ndeshjen tonë. Kjo ka qenë një nga pikat tona më të forta, pasi lojtarët janë të gjithë të përqëndruar për të marrë gjërat me radhë. Nuk shohim shumë nga e ardhmja pasi tani luajmë në një fazë delikate. PSG është një skuadër fantastike. Janë përmirësuar vazhdimisht dhe kanë në përbërje disa nga lojtarët më të mirë në botë. Kanë një legjendë si Buffon në portë, një nga mbrojtësit më të mirë të viteve të fundit si Thiago Silva, për të mos folur më pas për sulmin e tyre. Këto gjëra tregojnë qartësisht evolucionin e kësaj skuadre, që është ndërtuar për të fituar sa më shumë. Çdo skuadër që i mungojnë lojtarë si Neymar, Cavani apo Meunier do të ndihen të cunguar, por këto situata i japin mundësi lojtarëve të tjerë të tregojnë veten. Kjo e bën më të paparashikueshme për ne, sepse kur në sulm kanë të njëjtën lojtarë, e di pak a shumë stilin e tyre të lojës, ndërsa në rastin konkret gjërat komplikohen. Si lojtarët tanë, ashtu edhe tifozët, e kanë pritur me padurim këtë mbrëmje speciale. Unë dua thjesht që lojtarët e mi të zbresin në fushë me besim të plotë tek aftësitë e tyre dhe të shijojnë lojën. Kjo ndeshje me PSG është mënyra më e mirë për të tesuar veten tonë. E dimë se këtu nuk ka vend për gabime, por më në fund, ne po funksionojmë si një skuadër e vërtetë.”
Anthony Martial (Sulmues i Manchester United)
Ndihemi shumë mirë. Kemi një qasje të ndryshme nga sfidat e para në këtë kompeticion dhe kërkojmë të realizojmë të gjitha detyrat që na thotë trajneri. Ndoshta tani e kemi më të thjeshtë të gjejmë stilin tonë të lojës se sa më parë, por duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Nuk mendoj se jemi favoritë prej faktit që kundërshtarët tanë kanë mungesa. Ata kanë shumë lojtarë të mirë në përbërje që mund të jenë vendimtarë në këtë sfidë.
Thomas Tuchel (Trajneri i PSG)
“Nuk është detyra e Mbappe për të zëvendësuar Neymar apo Cavanin. Ai duhet të përqëndrohet në lojën e tij. Pres një Manchester United mjaft agresiv në sulm, ndaj duhet të jemi të përgatitur. Për të marrë atë çfarë duam nga ky takim në ‘Old Trafford’, na duhet të luajëm në nivelin më të lartë të lojës sonë. United po luan krejt ndryshe nga ajo çfarë kemi parë deri në muajin dhjetor. Loja e tyre dhe mënyra se si i zgjidhin ndeshjet është diçka që të impresionon vërtet shumë. Besoj se për momentin, ata janë sfida më e vështirë që mund të na rezervohej. Skuadra jonë ishte në formë të mirë fizike në fundin e fazës në grupe, por duket se disa gjëra tani kanë ndryshuar. Megjithatë grupi i lojtarëve që kam në dispozicion ka besimin dhe energjinë e duhur për të bërë mirë në këtë takim. Për mua është një ndeshje pa favoritë. Vërtet do të luajmë në ‘Old Trafford’, por mendoj se shanset janë të barabarta. Detajet dhe episodet e mundshme mund të vendosin fatin e këtij takimi. Solskjaer është si ‘doktori’ që i duhej Manchester United për t’u ringritur. Ai ishte i rrezikshëm në fushë, ndërsa tani po fiton ndeshje edhe si trajner. Unë do t’i analizoj kundërshtarët tanë në bazë të performancave në ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar. Do të jetë një ndeshje e fortë nga ana taktike dhe fizike, por pres më të mirën nga lojtarët e mi.”
Julian Draxler (Mesfushor i PSG)
“Manchester United ka lojtarë të shkëlqyer por edhe ne kemi kualitetet tona. Jam i zhgënjyer për mungesën e Neymar, Cavani apo Meunier, por duhet të bëjmë maksimumin tonë në sfidën e sotme. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë për të arritur diçka pozitive. Duhet të menaxhojmë presionin dhe gjendjen fizike gjatë lojës. Duam që këtë vit të jemi ndryshe nga sezoni i kaluar. E kemi ne në dorë për të treguar nëse mund të fitojmë apo jo. Këto janë ndeshje që të gjithë duan ta shijojnë, por nuk duhet të humbasim përqëndrimin tonë për asnjë moment. Duhet t’i kujtojmë vetes që do të luajmë dhe një sfidë tjetër në fushën tonë, ndaj sigurisht që në lojë janë edhe llogaritë.”