Manchester United vijon rënien, tjetër humbje në kampionat

Sport

Manchester United është kthyer në një skuadër pa identitet. Djajtë e kuq nuk po arrijnë të konkurojnë dot më dhe tani e kanë të vështirë të fitojnë ndaj çdo skuadre të mundshme. Në javën e 22 të Premier League, United, është mposhtur nga Brighton në shtëpi. Old Trafford ka humbur identitetin dhe nuk është më një fortesë tmerruese për kundërshtarët. Kjo ishte humbja e gjashtë e United në shtëpi këtë sezon në Premier League, nga 12 ndeshje të luajtura gjithësej. Për të kuptuar sa e rëndë është situata, më keq se kaq, United kishte parë 131 vite më parë, në edicionin i largët 1893/94, kur në 12 ndeshje, pësonin 7 humbje.

Në këtë atmosherë të zymtë që është krijuar në radhët e 20 herë kampionëve të Anglisë, sytë janë kthyer nga trajneri Ruben Amorim. Ky i fundit, nuk është kursyer aspak në media, teksa është shprehur se rezultatet flasin për skuadrën më të dobët në historinë e klubit. Portugezi ka bërë thirrje se ekipi duhet të reagojë dhe të kthehet në rrugën e fitoreve.

“Në 10 ndeshjet e fundit në Premier, ne kemi fituar vetëm 2. Kjo është shumë e rëndë për një tifoz të Manchester United, e po ashtu për mua. Tani, unë jam një trajner, i cili ka humbur më shumë sesa paraardhësi im. Me shumë mundësi, kthyer në skuadrën më të dobët të historisë së klubit. jam i vetëdijshëm dhe duhet të punojmë për ta ndryshuar këtë gjë.

Ndoshta mund të tingëllojë e çuditshme, por fakti është i pakundërshtueshëm, se në renditje, Manchester United qëndron më afër zonës së mbijetesës, sesa zonës europiane. Djajtë janë në vendin e 13 në kuotën e 26 pikëve, 10 pikë mbi rënien nga kategoria dhe 11 më pak nga vendi i 6 që të dërgon në Conference League.