Tashmë është e konfirmuar, Paul Pogba i ka të prishura marrëdhëniet me Jose Mourinhon. Tabloidi The Sun raportoi të enjten se francezi ka marrë një qortim të rëndë nga trajneri i tij dhe e gjitha pas zërave të ndryshëm se ai do të largohet nga Manchester United. Prej javësh është raportuar se Barcelona interesohet për të dhe francezi nga ana e tij duket i dyzuar. “Nëse do ta lësh sërish Manchesterin, është e thjeshtë, kërko të transferohesh!” citohet t’i ketë thënë trajneri portugez 25-vjecarit kampion bote. Po sipas The Sun, Mourinho i ka thënë Pogbas se nëse ka ndonjë gjë për t’i thënë, s’duhet t’i drejtohet mediave, por t’ia komunikojë formalisht.
Në këtë pikë përgjigjja e mesfushorit shtatlart thuhet se ka qenë edhe më acaruese. “Për të folur me mua në mënyrë formale, duhet të flasësh me agjentin tim” citohet të kenë qenë fjalët e 25-vjeçarit. E gjithë kjo çështje është amplifikuar ndjeshëm pas intervistave të dhëna së fundmi nga Pogba. Në njërën prej tyre ai theksonte se në Old Trafford nuk ndihet i lirë. “Ka shumë gjëra që s’mund t’i them, nëse do ta bëja do të më gjobisnin” ishin fjalët e tij, përballë pyetjes se kush ishin pengesat në Manchester. Në postimin e fundit në instagram, teksa festoi golin ndaj Leicesterit, Pogba i zotohej tifozëve dhe bashkëlojtarëve se do të jepte maksimumin për ta pavarësisht asaj që po ndodh. Fakti se nuk përmendte trajnerin, sipas gazetarëve është një tjetër sinjal që gjërat nuk shkojnë hiç mirë me të.