Ndonëse shihej si një lëvizje që do të zyrtarizohej brenda pak ditësh, shkëmbimi Lukaku-Dybala mes Manchester United dhe Juventus nuk do të ndodhë. Thuajse të gjitha mediat kryesore në Angli raportojnë se “Djajtë e kuq” janë tërhequr nga kjo tratativë, për shkak të kërkesave të larta të argjentinasit për pagën e tij. Teksa Lukaku kishte gjetur marrëveshjen personale me Juventus, Dybala kishte kërkuar një pagë mbi 20 milionë euro në vit, çfarë është parë si e tepruar nga ana e drejtuesve të Manchester United, që veç lojtarëve si Sanchez e Pogba, nuk kërkojnë të afrojnë edhe një tjetër lojtar me pagë të tillë.
Kështu e gjithë tratativa duket se ka dështuar dhe në rast se Juventus do këmbëngulë për Lukakun, duhet ta bëjë me një ofertë ndryshe, ose Dybala duhet të ulë pretendimet e tij sa i përket pagës. Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer e ka kthyer Lukakun me pjesën tjetër të grupit dhe thuhet se e cilëson si çështje të mbyllur qëndrimin e sulmuesit. Megjithatë, belgu e dëshiron shumë një transferim në Serie A dhe tashmë në lojë mund të rifutet Interi.
Në rast se largimi i Lukakut do të bëhet fakt, u përfol se United do të hedhë sytë tek një tjetër lojtar i Juventus, Mario Mandzukic. Kroati duket se do ta ketë të vështirë të gjejë vend në formacionin e Sarrit gjatë sezonit të ri, por klubi anglez nxituan të hidhnin poshtë këto spekulime.