Transferimi i Bruno Fernandes gjatë merkatos së janarit rezultoi të ishte një ‘goditje’ e zgjuar nga ana e drejtuesve të Manchester United, ndonëse kjo lëvizje e portugezit nga Lisbona në Angli pritej në fakt prej disa muajsh. Megjithatë, përforcimet në mesfushë duket se nuk do të ndalen me kaq. Gjatë verës, në ‘Old Trafford’ pritet të afrohet një tjetër mesfushor, që mund t’i paraprijë edhe një largimi të mundshëm të francezit Paul Pogba. së fundmi, mediat raportojnë se ‘djajtë e kuq’ kanë shfaqur interes konkret për lojtarin e Atletico Madrid, Saul Niguez. 25-vjecari duket se tashmë ka bërë hapin e madh sa i përket rritjes së tij nga ana teknike dhe nën drejtimin e Diego Simeones ka dhuruar gjithnjë performanca të mira, sidomos në ndeshje të mëdha, duke qenë shpeshherë vendimtar për fatin e ‘los rojiblancos’. Duke parë aftësitë e spanjollit, drejtuesit e Manchester United e shohin si partnerin e duhur të Bruno Fernandes në mesfushë dhe me gjasa gjatë verës do të ketë një ofertë fillestare për Niguez. Për të shkëputur mesfushorin nga ekipi i Simeones nuk do të jetë e lehtë, pasi 25-vjecari ka një kontratë afatgjatë me Atleticon, deri në vitin 2026 dhe vlera fillestare që mendohet se do kërkojnë drejtuesit spanjollë për të është të paktën 85 milionë euro. Për arkat e Manchester United, një shifër e tillë është mëse e përballueshme, por për Saul thuhet se interes kanë shfaqur edhe ekipe të tjera, cfarë do të rriste ndjeshëm kostot e operaconit për transferimin e tij në ‘Old Trafford’.