Manchester United rrezikon të mos marrë pjesë në Champions League

Sport

Manchester United mund të zbrazet në fund të sezonit. Në merkaton e verës, pritet një tjetër revolucion në radhët e djajve të kuq, të cilët prej kohësh po përballen me krizë rezultatesh në tapetin e blertë. Sikurse raportojnë mediat angleze, janë të paktën 6 lojtarë që do largohen nga 20 herë kampionët e Premier League.

Pjesë e listës janë Anthony Martial, Donny van de Beek, Dean Henderson, Phil Jones, Axel Tuanzebe dhe Eric Bailly. Të gjithë futbollistët e sipërpërmendur janë marrë shumë pak, ose aspak në konsideratë nga klubi përgjatë sezoneve të fundit.

Aktualisht, 3 prej tyre janë huazuar nëpër skuadra të ndryshme deri në fund të sezonit. Fjala është për Van de Beek, Tuanzebe dhe Anthony Martial.

Me shitjen e këtyre futbollistëve, Manchester United pritet të arkëtojë një shumë të konsiderueshme të ardhurash, për t’I shpenzuar më pas për përforcimin e organikës me të tjerë elementë.

Ndër problemet e shumta që kanë aktualisht të kuqtë e Manchesterit dhe që presin zgjidhje, një prej tyre mbetet edhe e ardhmja e Cristiano Ronaldos. Portugezi ka kontratë edhe për një tjetër sezon me gjigantët e Premier League, mirëpo të shumtë qarkllojnë zërat se portugezi mund të largohet nga Old Trafford në fund të këtij sezoni.

United rrezikon të mos marrë pjesë në Champions League sa i përket edicionit të ardhshëm, e kësisoj duket shumë e vështirë që CR7 ta pranojë një realitet të tillë. Zhvillime të rëndësishme pritet të ndodhin ne kampin e 20 herë kampionëve të Anglisë në të ardhmen e afërt.