Manchester United regjistron nisjen më negative të sezonit në 34 vitet e fundit

Sport

Manchester United nuk po arrin të dalë dot nga kriza. Në javën e 7 të Premier League, skuadra e Erik ten Hag ka pësuar humbjen e 4, këtë herë nga Crystal Palace, 1-0 në “Old Trafford”. Vetëm 9 pikë dhe vend i 10 në tabelë, janë të dhëna që flasin për nisjen më negative të një sezoni nga Manchester United në 34 vitet e fundit.

Mirëpo përtej ngërçit të rezultateve, Ten Hag ka vendosur të tregojë dorë të hekurt, duke evidentuar herë pas here se disiplina në klub është shumë e rëndësishme. Megjithatë, hollandezi 53 vjeçar tashmë duhet të zgjedhë një tjetër çështje, me një tjetër lojtar.

Këtu fjala është për Marcus Rashford. Në duelin ndaj Palace, anësori i sulmit shpërdoroi një sërë mundësish, duke ndezur pakënaqësinë e tifozëve në shkallët e stadiumit, por gjithashtu edhe të vetë Ten Hag.

Në fundin e pjesës së parë, Ten Hag pati një komunikim të shkurtër për Rashford, duke i kërkuar që të bashkëpunojë më tepër me shokët e skuadrës në fushën e lojës, por një gjë e tillë nuk u pa në pjesën e dytë.

Shpërdorimi i rasteve dhe një lloj egoizmi i tepruar, janë aspekte që ekipit të United i kanë kushtuar jo pak. Për këtë arsye, Ten Hag pritet të punojë jo pak me Rashford edhe në aspektin psikologjik.

Për të harruar sa më parë humbjen e fundit, Manchester United do të ketë mundësi t’i bëjë sezonit një kthesë, pikërisht në një kompeticion si UEFA Champions League. Të Martën, djajtë do të presin në “old Trafford” turqit e Galatasaray, duel i vlefshëm për javën e dytë të Grupit A.

Për një sfidë të tillë, Ten Hag mund të aktivizojë edhe brazilianin Antony, i cili, sikurse ka njoftuar edhe vetë klubi, është kthyer në stërvitje dhe është gati për të luajtur.

Një fitore ndaj Galatasaray, është detyrë shtëpie për United, sepse vetëm në një mënyrë të tillë, mund të shtrohet rruga për të pretenduar kualifikimin për më tej. Në të kundërt, situata do të komplikohej edhe më tepër.