Manchester United pranë finales së parë në epokën e Erik Ten Hag

Sport

Manchester United shumë pranë finales së parë në epokën e Erik Ten Hag. Djajtë e Kuq kanë arritur një fitore mjaft të rëndësishme me rezultatin 3-0 në Nottingham Forest në transfertë, sfidë e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup.

Për të kuqtë e Manchesterit shënoi Marcus Rashford që në minutën e 6-të. Me këtë finalizim, Rashford u bë lojtari i parë i United në Carabao Cup që shënon plus 5 gola brenda një edicioni të vetëm që nga sezoni 2008/09-të, atëherë kur Carlos Tevez e mbyllte turneun me 6 gola.

Më tej, në të 45-tën, Weghorst dyfishoi shifrat për skuadrën mike. Ky ishte finalizimi i parë i shtatlartit hollandez me fanellën e 20 herë kampionëve të Anglisë.

Ndërkohë, një minutë përpara mbylljes së kohës së rregullt, do të shënonte edhe Bruno Fernandes. Në paraqitjen e tij të 155-të me United, portugezi numëron të dhëna të mrekullueshme, sepse është përfshirë në 100 gola gjithësej, me 56 finalizime dhe 44 asist.

Gjysmëfinalja e kthimit në “Old Trafford” ndaj Forest do luhet në 1 shkurt, por fitorja 3-0 në ndeshjen e parë është një rezultat që e dërgon skuadrën e Ten Hag me një këmbë në finale. Ekipi i teknikut hollandez është në rrugën e duhur për të fituar trofeun e parë të sezonit.