Një tjetër brazilian do i shtohet skuadrës së Manchester United. Pas Casemiros, lojtari i radhës që do i bashkohet klubit anglez është Antony Matheus dos Santos, i njohur ndryshe si Antony, i cili që prej 2 sezonesh është pjesë e Ajaksit. Të gjitha raportojmet e mediave të huaja, dalin në konkluzionin se në një të ardhme shumë të afërt, Antony do jetë lojtar i United dhe kjo nuk ka asnjë diskutim.
Në Old Trafford, anësori do firmosë një kontratë 4 vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një të 5-të. Shifra e transferimit të tij në Teatrin e Ëndrrave parashikohet të jetë 95 mln euro. Pra, me fjalë të tjera, talenti brazilan, do kthehej në një prej futbollistëve më të shtrenjtë që është transferuar ndonjëherë në elitën e futbollit anglez.
Pas Lisandro Martinez, Antony është lojtari i dytë i Ajaksit që transferohet këtë verë në radhët e Manchester United. Një gjë e tillë ka ndodhur me kërkesë të trajnerit Erik ten Hag, i cili ka punuar për vite në Amsterdam me lojtarët e sipërpërmendur dhe i njeh në detaje cilësitë e tyre.
Jo vetëm kaq, por Ten Hag ka marrë edhe një lojtar tjetër nga futbolli hollandez, mbrojtësin e majtë, Tyrell Malacia, shërbimet e të cilit u siguruan nga skuadra e Feyenoord në fillim të merkatos së verës.