Manchester United ishte shumë pranë fitores së 6-të radhazi në kampionat, por ekipi i Erik Ten Hag është ndëshkuar vetëm në momentet e fundit të sfidës. Në transfertën e Crystal Palace, djajve të kuq u iku 3 pikëshi nga duart në minutën e 91.
Finalizimit të Bruno Fernandes në minutën e 44 të pjesës së parë, iu përgjigj Michael Olise në të 91-tën me një finalizim perfekt nga goditja e dënimit. Më pas, të kuqtë e Manchesterit provuan që të gjenin golin e epërsisë në sekondat e mbetura, por përpjekja e tyre nuk rezultoi me sukses.
Në këtë mënyrë, 20 herë kampionët e Anglisë kanë zbritur në vendin e 3-të në kuotën e 39 pikëve, por rrezikojnë që të zbresin edhe në të 4-tin, nëse Neëcastle United fiton në fundjavë ndaj Crystal Palace.
Në takimin e ardhshëm, Manchester United do ketë një tjetër ndeshje mjaft të vështirë në kampionat. Djajtë, vizitojnë Arsenalin në Emirates. Mirëpo në sfidën ndaj rivalëve londinezë, e vlefshme për javën e 20-të, tekniku Ten Hag nuk do ketë në dispozicion një prej lojtarëve më të rëndësishëm të organikës së tij. Fjala është për Casemiron, i cili në takimin ndaj Crystal Palace mori kartonin e 5-të të verdhë dhe si pasojë nuk do jetë i gatshëm ndaj Gunners.
Mungesa e tij konsiderohet një problem më vete jo vetëm nga lojtarët e Manchester United, por edhe nga ana e teknikut Ten Hag, i cili tanimë duhet të gjejë formulën e duhur për të ndalur kryesuesit e kampionatit.