Manchester United në revolucion, 5 emra të tjerë për merkaton e janarit

Sport

Që prej momentit kur mori drejtimin e skuadrë në verën e këtij viti, nën drejtimin e Erik Ten Hag, Manchester United ka nisur një revolucion, që duket se do të vazhdojë edhe përgjatë merkatos së janarit. Në verë u shpenzuan rreth 250 mln euro për përforcimin e organikës, duke u afruar lojtarë si Casemiro, Lisandro Martinez, apo edhe Antony. Megjithatë, grupi ka ende nevojë për përforcime, sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldos. Në kushte si këto, sektori i avancuar është një element që 20 herë kampionët e Anglisë do synojnë të përmirësojnë.

Sipas informacioneve që raportohen nga mediat në ishull, nën radarët e United janë dy emra me mjaft jo pak të dëgjuar. Fjala është për Joao Felix dhe Victor Osimhen. Portugezi prej kohësh nuk është i kënaqur në “Estadio Petropolitano”, aqsa deri në këtë fazë të sezonit i ka nisur ndeshjet nga stoli. Si pasojë, largimi i tij nga radhët e Atleticos nuk duket i pamundur të ndodhë në afatin kalimtar të dimrit.Disi më ndryshe qëndron situata për Osimhen. Shtatlarti është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Napolit deri në këtë fazë të sezonit. Klubi i kaltër është në rrugën e duhur për të triumfuar në Serie A dhe në këtë mënyrë, duket shumë e vështirë që Osimhen të largohet nga Diago Armando Maradona pa u mbyllur ky edicion futbollistik, sepse ka një mundësi që në fund, të kurorëzohet me një medalje kampioni.

Më tej, një tjetër sulmues që United interesohet në janar është Goncalo Ramos. Djaloshi i Benficas i dha një bonus të shkëlqyer vetes në Botëror, teksa në fazën e 1/8-tave shënoi 3 gola ndaj Zvicrës. Mirëpo, në “Old Trafford” duan të forcohen edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe drejtuesit mendojnë se Denzel Dumfries do të ishte zgjedhja më e mirë. Hollandezi prej kohësh vijon të jetë aktiv në merkato, teksa interesi për të ka ardhur kryesisht nga Premier League. Nuk mbyllet këtu, pasi Manchester United ka “piketuar” edhe një portier. E ardhmja e David De Gea është shumë e paqartë. Spanjolli është në vitin e fundit të kontratës dhe janë jo të paktë zërat se ai nuk do rinovojë. Në të tilla kushte, të kuqtë e Manchesterit kanë nisur nga puna për pasuesin e tij dhe në skenë ka dalë një emër konkret. Ai është Diogo Costa, portieri i Portos, vetëm 23 vjecc dhe shumë i talentuar. Këta janë 5 lojtarët më të komentuar aktualisht në kampin e djajve të kuq. Me shumë interes pritet se si do të rriedhin ngjarjet në “Teatrin e Ëndrrave” mbi emrat në fjalë, përgjatë merkatos së janarit.