Pak kohë më parë, trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, pati shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me merkaton e drejtuesve të klubit. Kjo ka të bëjë me kërkesën e portugezit për të patur në skuadër një qendërmbrojtës të nivelit të lartë.
“Djajtë e kuq” kanë lëvizur kryesisht në kërkim të këtij objektivi, por deri më tani nuk kanë arritur të konkretizojnë asnjë tratativë. Fillimisht, intersimi i drejtuesve të United ka qenë tek Toby Alderweireld i Tottenham dhe Harry Maguire i Leicester City, i cili tregoi performanca mjaft të mira përgjatë botërorit. Por kërkesat e larta nga skuadrat e tyre respektive sa u përket çmimit, ku në të dyja rastet kërkohen 75 milionë paundë, ka bërë që në Manchester të rikthehen tek një tjetër objektiv i vjetër. Bëhet fjalë për Yerry Mina, i cili tek Barcelona nuk ka gjetur hapësirat që ai kërkon, ndërkohë që në botëror me Kolumbinë, tregoi që premton shumë për të ardhmen. Për kartonin e 23-vjeçarit, blaugranat kërkojnë të paktën 40 milionë euro, një shifër e përballueshme për arkat e United, që i duhet të bëjë llogaritë edhe me “fair-play” financiar. Ndërsa së fundmi ka lindur edhe një ide tjetër, ajo e shkëmbimit të të padëshiruarit të Mourinhos, Anthony Martial, me mbrojtësin e Bayern Munchen, Jerome Boateng, por siç raportohet së fundmi, bavarezët duket se janë të prirur ta refuzojnë këtë ofertë nga Anglia.