Manchester United në dilemë: Van Gaal apo Jose Mourinho?

Sport

jjttdwe.jpg

Jose Mourinho do të marrë drejtimin e Manchester United vetëm nëse trajneri aktual Louis Van Gaal shkarkohet këtë verë. Të paktën kështu raporton “Sky”…

Sipas informacioneve, drejtues të “Djajve të kuq” i kanë thënë portugezit se pankina i përket atij, por vetëm nëse Van Gaal kërkon të largohet apo pushohet…

Deklaratat e “Sky” vijnë vetëm pak orë pas fjalëve të “The special one” se nuk kishte marrëveshje me askënd për sa i përket skuadrës së tij të ardhshme. U përfol në fakt për një mundësi në ekipin e Paris Saint Germain, por duket se Laurent Blanc nuk ka ndërmend të lërë pozicionin e tij.

Duke analizuar situatën, duket se te Manchester United janë ende të pavendosur në lidhje me holandezin. Anglezët luajtën dje ndeshjen e fundit të kampionatit duke përfunduar kështu në vend të 5-të, jashtë zonës së Champions League.

Këtë fundjavë ata do të përballen me Crystal Palace në finalen e “FA Cup”, në Wembley, gjë që me shumë mundësi do të vendosë fatin e Van Gaal dhe të vetë Manchester-it.

Kujtojmë se Jose Mourinho është “i papunë” që nga dhjetori i vitit të kaluar kur mbylli eksperiencën e hidhur me Chelsea-n. Që nga ajo kohë është përfolur shumë destinacioni i radhës i tij, si një ndër trajnerët më të kërkuar në botë, por ende nuk kemi një konfirmim zyrtar. Të jetë ky momenti i së vërtetës? Le të presim…