Manchester United ndalet pas 13 fitoresh radhazi në shtëpi. Në ndeshjen e prapambetur të Premier League, e vlefshme për javën e 8-të, Djajtë e Kuq nuk shkuan më shumë sesa barazimi 2-2 me Leeds United në “Old Trafford”.
Madje, për 20 herë kampionët e Anglisë mund të kishte shkuar edhe më keq, sepse deri në minutën e 48-të, ishin duke u mposhtur me shifrat 2-0. Sidoqoftë, Marcus Rashford dhe Jadon Sacho, në minutat 62 dhe 70-të, rikthyen barazpeshën për të besuarit e Erik ten Hag, që pavarësisht përpjekjeve të tjera, në fund nuk arritën dot të dilnin fitues.
Në aspektin personal, kjo ishte ndeshja e 6-të radhazi që Marcos Rashford shënoi në “Old Trafford”, në Premier League. Lojtari i fundit i United që e bënte një gjë të ngjashme në kampionat ishte Ëayne Rooney në vitin 2012-të.
Ndaj Leeds, Ten Hag nuk pati të gatshëm mesfushorin Casemiro si pasojë e kartonit të kuq nga ndeshja e shkuar me Crystal Palace. Në kushte si këto, edhe një herë tjetër u vërtetua, që sa herë që braziliani mungon në formacion, United gjendet menjëherë në telashe.
Kur Casemiro është në fushë, United ka një mesatare prej 2.3 pikësh për ndeshje dhe pëson vetëm 0.7 gola për ndeshje. Ndërsa kur mesfushori mungon, mesatarja e pikëve të United është 1.4 dhe golat e pësuar janë 2.2.
Me barazimin e marrë ndaj Leeds, në 22 javë, Manchester Untied klasifikohet në vendin e 3-të të tabelës në kuotën e 43 pikëve, 7 më pak sesa Arsenali kryesues.