Manchester United me një këmbë i eliminuar nga Champions League. Në Grupin A, në xhiron e javës së pestë, djajtë e kuq shkuan me mission të qartë në Stamboll, për të fituar ndaj Galatasaray. Mirëpo, nga ana tjetër, ashtu sikurse anglezët, edhe turqit e kishin të domosdoshme marrjen e pikëve maksimale.
Megjithatë, në fund, asnjë prej skuadrave nuk arriti të fitonte, pasi sfida u mbyll me një barazim spektakolar 3-3. Në kushte si këto, pas Bayernit që tashmë e ka prerë biletën, çështja e skuadrës së dytë të kualifikuar do të zgjidhet në javën e gjashtë, por duhet thënë se kualifikimi nuk është më në dorën e United, që me rezultatet e marra këtë edicion futbollistik, ka thyer disa rekorde negative, që nuk prekeshin prej dekadash me radhë.
Në 20 ndeshje të luajtura këtë edicion në të gjitha kompeticionet, United ka pësuar 33 gola. Më dobët se kaq, nuk kishte ndodhur asnjëherë për klubin anglez, që nga sezoni 1962/63, atëherë kur pësonte 43 gola në vetëm 20 takime.
Po ashtu, që nga edicioni 1994/95, United është skuadra angleze që ka pësuar më tepër gola në 5 ndeshjet e para të fazës së grupeve, me ekipin e trajnerit Erik Ten Hag që e ka nxjerrë plot 14 herë topin nga rrjeta.
Më tej, për t’iu rikthyer situatës në Grupin A, në garë për një vend të dytë, nuk është vetëm United dhe Galatasaray, por gjithashtu edhe Copenhagen. Barazimi pa gola në fushën e Bayern Munich, ka shërbyer si një bonus për ekipin danez, që tanimë renditet në vendin e dytë, me 5 pikë, po aq sa Galatasaray i vendit të 3-të. Kjo do të thotë se në ndeshjen e fundit që luajnë në shtëpi, Copenaganit i duhet thjesht të fitojë, dhe në këtë mënyrë, do të siguronte një biletë në 16 skuadrat më të mira të Europës.