Sikur të mos mjaftonte fakti që Manchester United po përjeton një nga periudhat më të errëta të historisë së klubit sa i takon rezultateve në fushën e lojës, djajtë e kuq, kanë marrë gjithashtu edhe një lajm tjetër negativ mbi dëmtimin e Lisandro Martinez.
Mbrojtësi i qendrës u lëndua në ndeshjen e fundit të Premier League ndaj Crystal Palace në shtëpi, të humbur me rezultatin 2-0. Martinez doli me barelë nga fusha e lojës, teksa nga analizat paraprake, mediat në angli, bëjnë me dije, se shtatshkurtëri ka këputur ligamentin e gjurit. Si pasojë, kampioni i botës parashikohet të mungojë 6 muaj. Thënë këtë, ish-lojtari i Ajaksit nuk do të zbresë më në fushën e lojës përgjatë këtij edicioni futbollsitik, pavarësisht se Manchester United po kryen teste më të detajuara për të përcaktuar më saktë periudhën e mungesës së futbollistit në fjalë.
Në kushte si këto, ky është një telash më tepër më trajnerin Ruben Amorim, i cili tani duhet t’i bëjë llogaritë pa një prej lojtarëve më të dobishëm të skuadrës së tij. Argjentinasi konsiderohet mjaft i vlefshëm për United, teksa këtë sezon është vlerësuar pozitivisht për atë që ka dhënë në tapetin e gjelbërt.
Ndërkohë, Manchester United vazhdon të lëngojë, teksa deri në këtë fazë të sezonit, renditet në vendin e 13 të tabelës së renditjes. Në 24 javë të luajtura në Premier League, janë regjistruar vetëm 8 fitore, 5 barazime dhe 11 humbje, duke e kthyer këtë sezon, në një nga më negative të të gjithë historisë 147 vjeçare të klubit.