Manchester United komplikon garën për në Champions League

Sport

Manchester United komplikon garën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Si pasojë e dy humbjeve të pësuara në dy ndeshjet e fundit, ndaj Brighton dhe West Ham, djajtë e kuq kanë zbritur në vendin e 4 të tabelës së renditjes dhe kanë mbetur në kuotën e 63 pikëve. Kur deri në fund të sezonit janë edhe 4 javë për t’u luajtur, 20 herë kampionët e Anglisë nuk mund të ndihen aspak të sigurt, sepse Liverpool po ndjek nga pas me 62 pikë.

The Reds e kanë kaluar momentin e komplikuar dhe kanë nisur të përmirësohen në rezultate. Të besuarit e Jurgen Klopp vijnë nga 5 fitore të njëpasnjëshme, me të fundit të regjistruar ndaj Brentford me shifrat minimale, 1-0.

Presioni mund të ishte edhe më I madh në radhët e United, mirëpo të besuarit e Erik ten Hag mund të ndihen më të qetë, për faktin se kanë luajtur një ndeshje më pak sesa Liverpool, kështu që diferencën e pikëve mund ta thellojnë edhe më tepër. Pikërisht në këtë aspekt ka bërë thirrje edhe tekniku hollandez, duke thënë se çdo gjë është në dorën e lojtarëve të tij dhe jo në të atyre të Liverpool.

Për të mbetur tek Manchester United, një prej temave më të diskutuara në “Old Trafford” është e ardhmja e David de Gea. Portieri është në muajt e fundit të kontratës dhe ende nuk dihet se ç’do të ndodhë me të. Spanjolli ka gabuar 4 herë këtë sezon mes shtyllave dhe së bashku me Hugo Lloris të Tottenham, janë dy portierët me më tepër gabime në Premier League. Megjithatë, Ten Hag ka dalë në mbrojtje të De Geas, duke thënë se ai është një lojtar mjaft I rëndësishëm për skuadrën.

Po ashtu, numri një I stoli të United, e ka bërë të qartë se do të donte ta kishte spanjollin pjesë të skuadrës së tij, duke uruar që ai ta rinovojë kontratën sa më shpejtë të jetë e mundur.