Thuajse çdo ditë dalin fakte të reja rreth dëshirës se Manchester United për të firmosur me talentin e Borussia Dortmund, Jadon Sancho. Drejtori sportiv i verdhezinjve deklaronte javën e kaluar se klubi nuk ka ndërmend ta shesë anësorin anglez, ndërsa së fundmi, Michael Zorc ka zbuluar se Manchester United, ka bërë lëvizje konkrete për të firmosur me Sanchon. Zorc tha se drejtuesit e klubit anglez kanë kërkuar të ulen në bisedime me Dortmund për të gjetur një marrëveshje për transferimin e 19-vjeçarit. Zorc shtoi gjithashtu se ai kishte refuzuar t’u përgjigjet kërkesave të United, qoftë edhe për t’u ulur në bisedime, duke lënë të kuptohet se Dortmundi nuk ka ndërmend ta shesë Sanchon.
Lojtari shihet si një nga shtyllat e projektit të klubit gjerman, që kërkon të heqë dorë nga shitja e talenteve të skuadrës, në përpjekje për të ruajtur balancat dhe cilësinë e ekipit. Jadon Sancho ishte një ndër yjet e Dortmund në barazimin 0-0 me Barcelonën, në sfidën e parë për ta në ‘Champions League’ për këtë sezon. Anglezi fitoi penalltinë që mund të ishte vendimtare për fatin e takimit, por Marco Reus u ndal nga portieri i katalanasve, Marc Andre ter Stegen. Vlera e Sanchos llogaritet në mbi 100 milionë euro, por vështirë se Dortmundi do pranojë në të ardhmen ndonjë ofertë nën shifrën e 150 milionë euro.