Humbja në derbi tregoi edhe njëherë se sa të nevojshme janë përforcimet për Manchester United gjatë kësaj merkatoje dimërore. ‘Djajtë e kuq’ prej kohësh janë vënë në kërkim të një mesfushori dhe sipas asaj që raporton ‘ESPN’, trajneri Ole Gunnar Solskajer ka dhënë miratimin e tij për të nënshkruar gjatë këtij muaji me yllin e Ajaksit, Donny Van de Beek. Në fakt, drejtuesit e Manchester United kanë kohë që ndjekin nga afër ecurinë e mesfushorit holandez, për të cilin mendohej të bënin një ofertë zyrtare në fundin e këtij sezoni.
Planet e anglezëve sipas mediave në ishull kanë qenë që Van de Beek të sillet në ‘Old Trafford’ gjatë verës, por duke parë situatën e vështirë në të cilin ndodhet skuadra e Solskjaer, nënshkrimi me lojtarin është i nevojshëm të ndodhë që gjatë këtij muaji. Për të arritur një marrëveshje me Ajaksin, Manchester United duhet të ketë të paktën 60 milionë euro. Për lojtarin ka shumë skuadra që interesohen dhe kjo vetëm sa e ka rritur vlerën e kartonit të tij.
Gjithsesi, tek United, aspekti financiar nuk duket të jetë problem, teksa tek Ajaksi duhet të bëjnë edhe pa bonuset që të japin sfidat e fazës me eleminim direkt në ‘Champions League’. Skualifikimi në fazën e grupeve duket se ka bërë që drejtuesit e kampionëve të Holandës të dëgjojnë me kujdes ofertat që vijnë në drejtim të lojtarëve të tyre. Van de Beek është përfolur edhe më herët për një largim nga Ajaksi, ku Real Madrid dhe Manchester United kanë qenë klubet më të interesuara. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje për mesfushorin, ‘ESPN’ konfirmoi se Solskjaer mund të marrë në konsideratë edhe yllin tjetër të holandezëve, marokenin Hakim Ziyech.