Manchester United interesohet për sulmuesin e Atalantas

Sport

Kanë mjaftuar dy ndeshje me Danimarkën dhe Rasmus Hojlund është kthyer në qendër të vëmendjes. Me formën e tij momentale, sulmuesi i Atalantës ka zgjuar menjëherë interesin e disa prej klubeve më të rëndësishme të kontinentit, e një prej tyre është Manchester United.

Djajtë e Kuq, janë mëse të interesuar që në verën e këtij viti, të sigurojnë patjetër shërbimet e një qendërsulmuesi, në mënyrë që organika e Erik ten Hag të jetë sa më e kompletuar. Të kuqtë e Manchesterit, prej kohësh janë në ndjekje të Harry Kane, i cili me shumë mundësi, këtë herë do të largohet nga Tottenham, por që mund të mbetet në Premier League, me destinacion stadiumin “Old Trafford”.

Mirëpo, pjesë e listës së United është pikërisht edhe djaloshi i Atalantës, Hojlund. 20 vjeçari, konsiderohet një futbollist me mjaft potencial dhe që garanton të paktën 1 dekadë nga e ardhmja. Danezi, u bashkua me Atalantën në verën e vitit që lamë pas dhe ka një kontratë të vlefshme deri në 2027-tës. Ndonëse ka vetëm disa muaj pjesë e ekipit të Gasperinit, klubi bergamaskt nuk duket kundër shitjes së Hojlund, që për ta lënë të lirë, kërkon të paktën 40 mln euro.

Në 25 ndeshje të luajtura me Atalantën këtë edicion futbollistik, Hojlund ka shënuar 7 gola në kampionat dhe 1 në Kupë.