Sofyan Amrabat vijon ende të tërheqë vëmendjen e klubeve me peshë të kontinentit. Pjesë e Fiorentinës që prej Janarit të 2020-tës, marokeni gjendet vetëm një vit përpara mbylljes së kontratës së tij, kështu që mesfushori është me valixhet gati.
Dëshirë për të mbetur pjesë e skuadrës vjollcë nuk ka, me lojtarin që prej disa kohësh është duke menduar largimin nga “Artemio Franchi”. Sipas mediave të huaja, klubi që ka nisur të tregojë më tepër interes për 26 vjeçarin, është Manchester United.
Djajtë e Kuq, synojnë që gjatë këtij afati kalimtar, të përforcohen në të gjitha repartet. Pasi siguruan shërbimet e Mason Mount dhe janë në rrugën e duhur për portierin Andre Onana, 20 herë kampionët e Anglisë kanë nisur të kompletojnë edhe misionin që mban emrin, Sofyan Amrabat. Mesfushori zotëron cilësi tekniku dhe fizike në nivel të kënaqshëm, e kësisoj mund të përshtatej mjaft mirë edhe në një kampionat si Premier League. Kjo është edhe arsyeja kryesore që trajneri Erik Ten Hag kërkon ta ketë lojtarin në fjalë, pjesë të organikës së tij.
Sipas raportimeve, për shitur kartonin e marokenit, Fiorentina kërkon 35 milionë euro. Duke marrë parasysh që regjisori i mesfushës, pas një viti, fiton të drejtën për t’u larguar me parametra zero, nuk përjashtohet mundësia që klubi nga Firence të ulet dhe të bisedojë edhe për ndonjë çmim të përafërt, diçka që do të vërtetohet vetëm në vijimësi.
Në edicionin që lamë pas, Amrabat, u aktivizua 49 ndeshje në të gjitha kompticionet. Me kontributin e dhënë në fushë, ai e ndihmoi skuadrën e Vinçenzo Italianos që të shkonte në finalen e Kupës së Italisë dhe Conference League.