Andre Onana është larguar nga Manchester United dhe është bashkuar me përfaqësuesen kamerunase të futbollit, por kur të rikthehet sërish në Old Trafford, vendi i tij në portë mund të mos jetë më i sigurt.
Sikurse shkruajnë mediat e huaja, djajatë e kuq, kanë nisur të tregojnë interes për portierin e Lazio, Ivan Provedel.
Provedel ka rënë në sy me performancat pozitive mes shtyllave, por mbrëmjen e 19 Shtatorit, në atë ndeshje të Champions League ndaj Atletico Madrid, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, teksa në sekondat e fundit, arriti të shënonte një gol, duke i dhënë një pikë ekipit të tij përballë kundërshtarit spanjoll.
29 vjeçari është pjesë e Lazios që prej verës së 2022-shit është pjesë e klubit italian, teksa ka një kontratë të vlefshme deri në verën e 2027-tës. Megjithatë, aventura e tij në Olimpico mund të përfundojë shumë shpejt, pasi United mund të trokasë në dyert e Lazios me një ofertë të konsiderueshme.
Vlera aktuale e kartonit të Provedel në merkato cilësohet 14 milionë euro dhe kjo rritje ka ndodhur vetëm përgjatë performancave pozitive të zhvilluara përgjatë edicionit aktual.
Sa i përket portierit Andre Onana, në verën që lamë pas, kamerunasi u transferua me shumë bujë në Old Trfford, mirëpo duhet thënë se aventura e 27 vjeçarit në Teatrin e Ëndrrave nuk po shkon aspak mirë. Herë pas here, Onana e ka parë veten në qendër të kritikave, për shkak të disa gabimeve të bëra, që e kanë dërguar skuadrën e Manchester United drejt një rezultati negativ, duke ngritur kësisoj pikëpyetje për vendin e titullarit në formacionin e trajnerit Erik Ten Hag.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellin ditët e mbetura të merkatos së Janarit, por nuk përjashtohet mundsia që Onana ta gjejë vendin të zënë kur të rikthehet nga Kupa e Afrikës dhe bashkohet sërish me Manchester Untied.