Manchester United interesohet për lojtarin e Interit

Sport

Lautaro Martinez përfudon nën radarët e Manchester United. Sulmuesi i Interit preferohet nga trajneri i djajve të kuq, Erik ten Hag, i cili do të donte ta kishte kampionin e botës pjesë të organikës së tij. Për të siguruar shërbimet e lojtarit në fjalë, mediat në ishull raportojnë se 20 herë kampionët e Anglisë janë gati të vendosin plot 80 mln euro në pjatë, në mënyrë që Interi të pranojë nisjen e negociatave për shitjen e yllit të tyre.

Dëshira e United është gjithashtu edhe Harry Kane, mirëpo për britanikun, Tottenham kërkon plot 115 mln euro, e kjo është arsyeja që të kuqtë e Manchesterit kanë ndryshuar objektiv, me bindjen se Lautaro do të ishte përforcimi i tyre i duhur për repartin e avancuar.

Mirëpo, nga ana tjetër, Lautaro, për momentin konsiderohet i paprekshëm në kampin e 19 herë kampionëve të Italisë. Sulmuesi në fjalë, ka një kontratë të vlefshme deri në 2026-tën, të rinovuar një vit e gjysmë më parë.

Në fakt, vetë Lautaro, herë pas here është shprehur se dëshira e tij është të mbetet pjesë e Interit, sepse aty ndihet si në shtëpi, mirëpo duke marrë parasysh ngërçin financiar që ka mbërthyer klubet e mëdha, veçanërisht pas epokës së pandemisë, në rast të një oferte të kënaqshme, Interi mund të dorëzohej dhe të pranonte shitjen e El Toros.

Ashtu sikurse ka ndodhur që prej 2018/19-tës, kur u bë pjesë e Interit, Lautaro ka ditur të jetë protagonist çdo sezon me skuadrën e tij. Nuk mund të ndodhte ndryshe as këtë herë. Kampioni i botës është aktivizuar 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një total prej 21 golash e 8 asistesh.