Manchester United fiton përballjen miqësore me Realin e Madridit

Sport

manchrealm

Super-Kupa e Evropës luhet më 8 gusht, por turi i miqësoreve në Shtetet e Bashkuara, i dha mundësi dy skuadrave kampjone të Evropës që të masin forcat me njëra tjetrën. Kështu Reali i Madridit dhe Manchester United u ndeshën në Santa Clara të Californisë ku fitues rezultuan anglezët pas goditjeve të penalltive. Skuadra e Zinedine Zidane, që në këtë turne është pa Cristiano Ronaldon, e nisi takimin me Bale-Benzema dhe Vazques në sulm, ndërsa nga ana tjetër te Manchester United, Jose Mourinho la në stol Lukakun dhe Pogbanë, sidoqoftë ata që dhuruan spektakël ishin Jessie Lingard dhe Anthony Martial. Ky i fundit dhuroi plot driblime si dhe asistin në golin e Lingard në fund të pjesës së parë. Pjesa e dytë nisi me 11 zëvendësime nga Zizou dhe 9 të tjerë nga Mourinho. Në përgjithësi pati sinjale pozitive, por Lindelof te United ishte ai që caloi më së shumti. Suedezi shkaktoi penalltinë që i mundësoi barazimin Realit në minutën e 69-të. Nga pika e bardhë nuk gaboi Casemiro, i cili në këtë fraksion loje mbajti edhe shiritin e kapitenit. Gjithsesi rezultati nuk ndryshoi më dhe skuadrat iu drejtuan njëmbëdhjetëmetërshave. Kësaj radhe gabuan të gjithë përvec Mkhitaryan, Quezadas dhe Blind. Humbja e Realit u vulos nga Casemiro, i cili goditi shtyllën. Pas takimit Jose Mourinho lavdëroi tejmase francezin Martial dhe e inkurajoi atë që të jetë më i qëndrueshëm në formën e tij. Për sa i përket Zidane-it, francezit duket se i nevojitet më shumë kohë për t’u gjetur vend elementëve si Theo Hernandez, Ceballos apo Marcos Llorente. Gjithsesi kjo ishte thjeshtë një ndeshje miqësore, Reali i Madridit ka plot kohë për të rigjetur formën dhe pse jo edhe Cristiano Ronaldon.