Manchester United, edhe Ander Herrera kërkon largimin

Sport

herrera1
Tek Manchester United duket se asgjë nuk funksionon si duhet. Ndonëse ‘djajtë e kuq’ u kthyen tek fitorja këtë fundjavë, teksa mposhtën 2-0 skuadrën e Burnleyt, problemet vazhdojnë të trazojnë ambientin në brendësi të ekipit. Pas transfertës së Burnleyt, Mourinhos iu rikthye buzëqeshja, por marrëdhëniet e tij me lojtarë të caktuar vazhdojnë të jenë të ndërlikuara. Marcus Rashford nuk po gjen hapësirat e duhura në formacion, çfarë mund ta shtyjë sulmuesin e ri të mendojë seriozisht largimin nga skuadra. Ndërkohë që pas Anthony Martial dhe Paul Pogba, tashmë është edhe Ander Herrera që kërkon largimin nga ‘Old Trafford’. Mesfushori spanjoll në fakt pak kohë më parë qe shprehur se dëshironte të qëndronte tek Manchester United për një kohë të gjatë.

 ander

Por duket se oferta e rinovimit e paraqitur nga ana e drejtuesve të klubit nuk i ka plotësuar pritshmëritë e lojtarit dhe të përfaqësuesve të tij.  29-vjeçari priste një përmirësim të termave financiarë në kontratën e tij, diçka që nuk ka ndodhur. Në këtë mënyrë, Herrera thuhet t’u ketë treguar hapur drejtuesve të klubit se do të shqyrtojë të gjitha ofertat që do të vijnë në drejtim të tij nga skuadrat e tjera. Spanjolli u bë pjesë e Manchester United në verën e vitit 2014, kur ‘djajtë e kuq’ shpenzuan 36 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga skuadra e Athletic Bilbaos. Me skuadrën angleze ai numëron deri më tani 162 ndeshje të zhvilluara, ku ka shënuar 17 gola dhe shërbyer 24 asiste.