Manchester United bën një hap përpara në përzgjedhjen e trajnerit të ardhshëm të skuadrës

Sport

Sipas raportimit të mediave në Angli, drejtuesit e klubit kanë zgjedhur Erik Ten Hag si strategun e skuadrës. Sigurisht që nuk mund të flitet në rrugë zyrtare, madje, vetë klubi e ka mohuar një gjë të tillë. Mirëpo, timonieri në fuqi i Ajaksit tashmë kryeson bindshëm listën e kandidatëve për t’u ulur në pankinën e Old Trafford.

Emra si Mauricio Pochettino, Luis Enrique, apo edhe Thomas Tuchel kanë kaluar tanimë në plan të dytë. Teksa në ishull janë të bindur se cili do jetë trajneri i ardhshëm në Teatrin e Ëndrrave, çështja ende nuk është bërë publike, për shkak se Ajaksi këtë sezon po rivalizon me PSV për titullin kampion në Eredivise.

Në respekt të gjigantëve nga Ansterdami, e për të mos shpërqendruar vëmendjen, United ka vendosur që të punojë në heshtje, aty ku përgatitjet do zhvillohen në prapaskenë.  Dakordësia paraprake është arritur nga të dyja palët, si nga ana e klubit anglez, po ashtu edhe nga vetë Ten Hag, i cili ka ende edhe një vit kontratë me Ajaksin, por mundësitë janë shumë të mëdha që në fund të sezonit të largohet nga Johan Cruyff Arena.

Përgjatë viteve të fundit, 52 vjeçari ka qenë një ndër trajnerit më progresivë të Europës, aty ku me Ajaksin e tij ka arritur rezultate mjaft të larta, deri në gjysmëfinalen e Champions League në sezonin 2018/19-të.